Një debat i tensionuar është zhvilluar në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, gjatë raportimit të Avokatit të Popullit, Endrit Shabani.

Përplasja nisi pas deklaratës së Shabanit se vetëm 21% e rekomandimeve të Avokatit të Popullit zbatohen nga institucionet shtetërore, një shifër që sipas tij tregon një nivel të ulët reagimi institucional.

Reklame

“Vetëm 21% e rekomandimeve të Avokatit të Popullit zbatohen. Nëse ju jeni të kënaqur me këtë performancë, unë nuk jam”, deklaroi Shabani gjatë raportimit.

Kjo deklaratë solli reagimin e kreut të komisionit, Fatmir Xhafaj, i cili kritikoi mënyrën e komunikimit të Avokatit të Popullit, duke i kërkuar të ndryshojë gjuhën e përdorur.

“Me çfarë jemi të kënaqur dhe me çfarë jo… Duhet ta ndryshosh gjuhën, se po më flet këtu sikur je kryetar i partisë, jo Avokat i Popullit”, tha Xhafaj.

Shabani kundërshtoi menjëherë duke theksuar se ishte në komision për të përfaqësuar institucionin që drejton dhe jo për të bërë politikë.

“Unë kam ardhur të përfaqësoj institucionin tim. Ky koment nuk ju nderon. Nuk jam politikan”, u shpreh ai.

Debati vijoi me një replikë të Xhafajt, i cili i kujtoi Shabanit angazhimet e tij të mëparshme politike.

“Ke qenë”, iu përgjigj Xhafaj.

Ndërsa Shabani e mbylli replikën duke theksuar se diskutimi duhet të fokusohet te puna e institucioneve dhe jo te e kaluara personale.

“Nuk kemi ardhur këtu të tregojmë çfarë kam bërë unë dhe ju në të shkuarën”, tha Avokati i Popullit.

Përplasja mes dy zyrtarëve u zhvillua gjatë një seance ku në fokus ishte raporti mbi punën e Avokatit të Popullit dhe zbatimi i rekomandimeve të tij nga institucionet publike.

Kaso përballë SPAK: “Pse nuk goditët krimin zgjedhor?” Braho: “Vendosim vetëm mbi prova”

Gjin Gjoni pyet SPAK-un për Edi Ramën dhe “Albanian Files”, Braho: “Askush nuk është imun”

Reklame