Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ngriti në Komision çështjen e hetimit të krimit zgjedhor, duke akuzuar SPAK-un për përdorimin e standardeve të dyfishta në trajtimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet.
Sipas Kasos, Prokuroria e Posaçme nuk ka hezituar të marrë masa sigurie ndaj drejtuesve të opozitës gjatë periudhave zgjedhore, duke përmendur arrestin shtëpiak ndaj Sali Berishës dhe arrestimin e Ilir Metës, ndërsa, sipas tij, nuk ka vepruar me të njëjtën vendosmëri ndaj grupeve kriminale që dyshohet se kanë ndikuar në procesin zgjedhor.
“Ju nuk keni pasur asnjë problem të merrni masa sigurimi ndaj liderëve të opozitës në vit zgjedhor. Ndërkohë, personat që janë evidentuar si problematikë për ndikimin në zgjedhje janë toleruar dhe janë goditur më pas për vepra të tjera, jo për krimin zgjedhor. Ky standard i dyfishtë a e demotivon apo e motivon krimin zgjedhor?”, u shpreh Kaso.
Kreu i SPAK, Klodian Braho, hodhi poshtë akuzat për standarde të dyfishta, duke theksuar se çdo procedim penal mbështetet vetëm në provat e administruara.
Braho e cilësoi krimin zgjedhor si një fenomen shqetësues, por nënvizoi se ngritja e akuzave bëhet vetëm kur ekzistojnë prova të mjaftueshme.
“Krimi zgjedhor është një fenomen shqetësues dhe na shqetëson edhe ne si Prokurori. Nuk është një fenomen i krijuar në një apo dy vitet e fundit, por prej një periudhe të gjatë. Çështjet përfundojnë në akuzë vetëm kur gjenden provat. Unë nuk shoh standard të dyfishtë për përfaqësues të njërës palë apo tjetrës. Mendoj se ky është një perceptim. Ne nuk nisemi nga perceptimet, por nga ajo që përmbajnë dosjet. Ju siguroj se, nëse provat ekzistojnë, kushdo qoftë dhe nga cilado palë, do të mbajë përgjegjësi”, deklaroi Braho.
Debati u zhvillua gjatë raportimit të drejtuesve të SPAK në Komision, ku çështja e hetimit të krimit zgjedhor ishte një nga temat kryesore të diskutimit.















