Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka mbrojtur publikisht librin The Albanian Files gjatë episodit të ri të podcast-it të tij “Flasim”, duke akuzuar kritikët e botimit për atë që e cilësoi si një “inkuizicion” të nxitur nga klima e protestave të fundit.
Sipas Ramës, libri nuk është një projekt personal apo politik, por një botim i pavarur që mbledh kontributet e rreth 60 arkitektëve dhe studiove ndërkombëtëtare që kanë punuar në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit.
“Është një botim i pavarur që lidh nëpërmjet Shqipërisë punët, projektet dhe reflektimet e arkitektëve me reputacion ndërkombëtar. Nuk dua të flas për librin, por për një inkuizicion që ka nisur lidhur me të”, u shpreh Rama.
“Protesta ka krijuar degë të tjera”
Kryeministri deklaroi se protestat e nisura fillimisht për mbrojtjen e natyrës kanë prodhuar, sipas tij, edhe një “degë inkuizicionale”, e cila po sulmon arkitektët dhe studiot që kanë kontribuar në zhvillimin urban të vendit.
Ai vlerësoi rolin e arkitektëve ndërkombëtarë në Shqipëri, duke e cilësuar vendin si një “universitet në qiell të hapur” për arkitekturën dhe urbanistikën.
Sipas Ramës, kritikat ndaj librit dhe autorëve të tij përbëjnë një sulm ndaj një grupi profesionistësh që kanë kontribuar në transformimin urban të vendit.
Debati për letrën e Reinier de Graaf
Një pjesë e polemikave është përqendruar te një tekst i arkitektit holandez Reinier de Graaf, i përfshirë në librin The Albanian Files.
Rama sqaroi se letra, e cila përmban referenca ironike mbi pushtetin dhe arkitekturën, është një tekst autoironik dhe nuk përfaqëson ndonjë thirrje reale politike.
“Nuk është një letër që më ka ardhur mua. Është një shënim në dosjen e arkitektit dhe trajton në mënyrë ironike marrëdhënien mes pushtetit dhe arkitekturës”, tha ai.
Kryeministri theksoi se përfshirja e tekstit dëshmon pikërisht pavarësinë editoriale të librit.
“Autonomia e autorëve është ruajtur”
Sipas Ramës, secili prej autorëve ka pasur liri të plotë në përzgjedhjen e projekteve, teksteve dhe reflektimeve të përfshira në botim.
Ai deklaroi se editorët nuk kanë ushtruar censurë apo ndërhyrje në materialet e paraqitura dhe se përfshirja e letrës së de Graaf është dëshmi e kësaj autonomie.
“Po të ishte një botim propagandistik apo i kontrolluar politikisht, ky tekst ndoshta nuk do të ishte aty”, u shpreh Rama.
Kritika ndaj “akuzave inkuizicionale”
Në përfundim, kryeministri argumentoi se stili i Reinier de Graaf është i njohur ndërkombëtarisht për ironinë, satirën dhe paradoksin, duke theksuar se arkitekti ka shkruar në të njëjtën mënyrë edhe për vende të tjera si Britania, Rusia, Kina apo Bashkimi Europian.
Rama tha se interpretimi politik i tekstit dhe sulmet ndaj librit janë pjesë e asaj që ai e cilësoi si “akuzë inkuizicionale” ndaj tij dhe ndaj projektit editorial.















