Ish-deputetja e LSI-së, Monika Kryemadhi, është paraqitur sot në ambientet e SPAK-ut, ku pritet të zhvillojë një seancë pyetjesh në lidhje me hetimet që po zhvillohen ndaj saj.
Në momentin që mbërriti, Kryemadhi u vu re duke ecur me nxitim drejt hyrjes së Prokurorisë së Posaçme, ndërsa me humor u tha gazetarëve që e prisnin në oborr:“Erdha me vrap se pastaj do thonë nuk vij në orar… më njoftuan dhe i thashë, po vij me vrap!”
Ish-kryetarja e LSI-së është një nga figurat politike që prej disa muajsh është nën hetim nga SPAK për dyshime mbi pasurinë dhe deklarimet financiare, ndërsa më herët ajo është pyetur disa herë nga hetuesit për çështje që lidhen me të ardhurat dhe llogaritë bankare të saj dhe të familjarëve.
Burime pranë SPAK bëjnë me dije se seanca e sotme është pjesë e vijimit të hetimeve, ndërsa nuk dihet ende nëse Kryemadhi është thirrur për të dhënë shpjegime shtesë apo për t’u njohur me ndonjë material të ri në dosje.







