Protestat që prej javësh po zhvillohen në kryeqytet, ku qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duket se kanë tërhequr edhe vëmendjen e politikës europiane.
Sipas njoftimeve të publikuara në rrjetet sociale, eurodeputetja gjermane Jutta Paulus ka bërë të ditur se do t’i bashkohet protestës së paralajmëruar për datën 29 qershor në Tiranë.
Në një koment të bërë në rrjetet sociale, Paulus shprehet shkurtimisht se do të jetë e pranishme në protestën e së hënës së ardhshme, duke rritur interesin mbi praninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë në zhvillimet politike në Shqipëri.
Deklarata e eurodeputetes vjen në një moment kur protestat në Tiranë kanë hyrë në javën e katërt, ndërsa çdo mbrëmje në kryeqytet dëgjohen thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për largimin e kryeministrit.
Mbetet për t’u parë se çfarë qëndrimi do të mbajë eurodeputetja gjermane lidhur me situatën politike në vend dhe mesazhet që mund të përcjellë gjatë vizitës së saj në Tiranë.
















