KAVAJË – Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Agonas të Kavajës, ku një konflikt mes dy vëllezërve përfundoi tragjikisht me vdekjen e njërit prej tyre.

Viktima, shtetasi Eqerem Rreshka, 74 vjeç, kishte shkuar në arë për të marrë dengje bari me zetor. Sipas informacioneve paraprake, pasi kishte ngarkuar bazën ushqimore për blegtorinë dhe po kthehej, ai është takuar me vëllain e tij më të madh, Muhamet Rreshka, 76 vjeç.

Reklame

Burime nga hetimet bëjnë me dije se mes dy vëllezërve ka nisur një debat, pasi 76-vjeçari i kishte kërkuar vëllait të mos kalonte në një rrugë të caktuar. Më pas, konflikti verbal është përshkallëzuar, ndërsa raportohet se viktima e ka shtyrë me zetor vëllain e tij.

Pas debatit, 76-vjeçari dyshohet se ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur vëllain 3 deri në 4 herë, duke i shkaktuar plagë të rënda.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30, ndërsa 74-vjeçari është transportuar me urgjencë drejt spitalit. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Sipas burimeve, autori i dyshuar ka shprehur pendesë pas ngjarjes së rëndë. Mësohet gjithashtu se 76-vjeçari ushtronte detyrën e kryeplakut të fshatit Agonas.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të dokumentuar konfliktin që çoi në këtë tragjedi familjare.

Reklame