Kryeministri Edi Rama ka komentuar debatin dhe protestat e zhvilluara gjatë javëve të fundit lidhur me projektin e investimit në Zvërnec, gjatë mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të PS.
Sipas Ramës, Shqipëria është kthyer për rreth 20 ditë në “syrin e një cikloni dixhital”, ku, sipas tij, janë përfshirë aktivistë, figura publike, media, parti politike brenda dhe jashtë vendit, si edhe kundërshtarët politikë të qeverisë.
“Befas Zvërneci u bë kërthiza e botës, ku po vendosej fati i ngrohjes globale. Bulevardi i Tiranës u bë sheshi ku qindra mijëra njerëz, sipas vetë Sanders, iu turrën oligarkisë botërore”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë përdori tone ironike ndaj kundërshtarëve të projektit, duke deklaruar se “flamingot u bashkuan me fundin e kazanit dixhital”, ndërsa i cilësoi si “karavidhe opozitare” kritikët e qeverisë.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur projekti i investimit në Zvërnec ka shkaktuar debate të forta publike, protesta dhe reagime nga aktivistë, organizata mjedisore dhe opozita.















