Policia e Shtetit ka njoftuar zyrtarisht Ministrinë e Arsimit për një rrezik në rritje që lidhet me përhapjen e produkteve psikoaktive të kamufluara si ushqime të zakonshme, të njohura si “Edibles”, të cilat dyshohet se po qarkullojnë mes të rinjve dhe nxënësve.

Në shkresën zyrtare drejtuar institucioneve arsimore, policia paralajmëron se këto produkte përmbajnë nivele të larta të THC-së, përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit, dhe paraqesin rrezik të shtuar për shëndetin e të miturve.

Reklame

Sipas autoriteteve, “Edibles” tregtohen kryesisht në formë karamelesh, xhelatinash apo produkte të ngjashme me ëmbëlsira, duke i bërë të vështira për t’u dalluar dhe veçanërisht tërheqëse për fëmijët dhe adoleshentët.

Policia ngre shqetësimin se konsumimi i tyre mund të shkaktojë pasoja serioze në shëndetin mendor dhe fizik, duke përfshirë çrregullime në sjellje, ankth dhe probleme të tjera psikoaktive, veçanërisht te moshat e vogla.

Në njoftim u bëhet thirrje drejtorive të shkollave, mësuesve dhe prindërve që të rrisin vigjilencën dhe të kontribuojnë në informimin e nxënësve për rreziqet e këtyre produkteve, si dhe në parandalimin e përhapjes së tyre në ambientet shkollore.

 

Reklame