Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet ndaj protestuesve që kundërshtojnë investimin turistik në Zvërnec, duke i akuzuar se janë “ambientalistë të zgjuar brenda natës” dhe se nuk kanë reaguar kur fauna dhe pyjet e vendit, sipas tij, përballeshin me dëme të mëdha.

Gjatë një takimi me socialistët e Qarkut Shkodër në kuadër të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, Rama deklaroi se protestat kundër projektit po shoqërohen me gjuhë urrejtjeje dhe me akuza që, sipas tij, nuk qëndrojnë.

Reklame

“Si patriotë, këta u zgjuan në një ditë dhe u bënë ambientalistë. Ku ishin kur në Shqipëri gjuhej ilegalisht? Ku ishin kur vriteshin përditë zogj dhe kafshë që janë specie të mbrojtura? Ku ishin kur pyjet ishin shndërruar në vende ku dëgjohej vetëm sharra elektrike?”, tha Rama.

“Flamingot do të tregonin një histori të hidhur”

Kreu i qeverisë mbrojti politikat e qeverisë për mbrojtjen e mjedisit, duke përmendur moratoriumin e gjuetisë dhe atë të prerjes së pyjeve. Ai tha se flamingot dhe pelikanët kaçurrelë kanë përfituar nga këto masa dhe se sot fauna shqiptare është në gjendje më të mirë se një dekadë më parë.

“Po të kishin gojë të flisnin flamingot që këta po i dalin për zot, do të tregonin historinë e tyre të hidhur. Nuk vinin në Shqipëri sepse i priste pushka dhe çiftja e atyre që stërviteshin duke vrarë zogj”, deklaroi Rama.

Sipas tij, edhe Pelikani Kaçurrel, një nga speciet më të rralla në Europë, sot është i mbrojtur dhe po shtohet në vend, ndërsa më parë ishte objekt gjuetie.

Akuza për manipulim të kauzës

Rama tha se nuk kundërshton sensibilizimin qytetar për çështjet mjedisore, por akuzoi individë dhe grupe të caktuara se po përpiqen ta përdorin këtë kauzë për qëllime politike.

“Nuk e kam me ata që shqetësohen sinqerisht. E kam me ata që po bëjnë çmos ta marrin peng këtë sensibilizim krejt legjitim dhe ta çojnë në një drejtim të panjohur, duke pretenduar se ekziston një plan djallëzor për të shitur Shqipërinë”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se qeveria nuk është “shkatërrimtare”, por “shpëtimtare” e mjedisit, duke argumentuar se rezultatet e viteve të fundit në mbrojtjen e pyjeve dhe faunës e dëshmojnë këtë.

Reklame