Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër projektit për ndërtimin e resortit turistik në Zvërnec.
Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë publikoi një video ku shfaqet një qytetar që përdor gjuhë fyese dhe kërcënuese, ndërsa shfrytëzoi rastin për të përsëritur qëndrimin e tij se projektet e qeverisë do të vijojnë sipas mandatit të marrë nga qytetarët në zgjedhje.
Rama theksoi se Shqipëria do të zhvillohet sipas vizionit që, sipas tij, është mbështetur nga shumica e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
“Shqipëria do të bëhet sipas kontratës që kemi lidhur për herën e katërt në majin e shkuar me 800 mijë e kusur shqiptarë, këtu e nëpër botë”, shkruan kryeministri.
Në reagimin e tij, Rama kritikoi ashpër pjesëmarrësit në protestë, duke i akuzuar se po e mbajnë peng debatin publik me qëndrime që, sipas tij, nuk kanë më lidhje me arsyet fillestare të kundërshtimit.
Ai u shpreh se disa prej protestuesve e konsiderojnë Shqipërinë “peng të verbërisë së tyre” dhe e përdorin atdhedashurinë si “podium për të sharë tradhtarë dhe armiq imagjinarë”.
Në fund të mesazhit, kryeministri deklaroi se protesta kundër projektit në Zvërnec ka humbur tashmë motivin real që e nisi, duke u dërguar një mesazh edhe mbështetësve të tij që, sipas tij, vijojnë të jenë të përfshirë në këtë lëvizje.
“Ju uroj një ditë të mbarë me një përqafim të veçantë për ata të mitë që kanë mbetur akoma peng i një proteste të cilës i ka humbur çdo arsye reale e nisjes”, përfundon Rama.















