Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndryshuar pjesërisht vendimin e shkallës së parë për sekuestrimin e pasurive në dosjen ku janë nën hetim disa persona dhe subjekte private, duke hequr një pjesë të masave të sekuestros dhe duke lënë në fuqi pjesën tjetër të vendimit.
Vendimi është dhënë nga gjyqtari Florjan Kalaja, i cili shqyrtoi ankimin kundër vendimit të mëparshëm të GJKKO.
Sipas vendimit, Apeli ka pranuar pjesërisht ankimet e personave nën hetim Gëzim Hoxha, Andis Papa, Elision Jorgji dhe Ergys Agasi, duke rrëzuar kërkesat e SPAK për sekuestrimin e disa aseteve dhe duke urdhëruar heqjen e masave të vendosura më herët.
Konkretisht, gjykata urdhëroi heqjen e sekuestros për:
- Asete me vlerë 123.6 milionë lekë të lidhura me Gëzim Hoxhën;
- Asete me vlerë 410.5 milionë lekë dhe 94.4 milionë lekë të lidhura me Andis Papën;
- Asete me vlerë 100.8 milionë lekë të lidhura me Elision Jorgjin;
- Një apartament dhe pasuri të tjera të lidhura me Ergys Agasin.
Po ashtu, Apeli urdhëroi kthimin e një pasurie të sekuestruar më herët tek subjekti apelues, duke e konsideruar të pabazuar kërkesën e SPAK për vazhdimin e sekuestros mbi atë aset.
Ndërkohë, gjykata la në fuqi pjesën tjetër të vendimit të shkallës së parë, çka do të thotë se masat e sekuestros për personat dhe subjektet e tjera të përfshira në dosje, përfshirë ato që lidhen me Mirlinda Karçanaj, mbeten në fuqi.
Në vendim përcaktohet se SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara duhet të ekzekutojnë menjëherë urdhrat e gjykatës.
Palët kanë të drejtë të paraqesin rekurs në Gjykata e Lartë brenda 45 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.















