Tiranë – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës para Kuvendit, duke dënuar ashpër ndërhyrjen e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve dhe duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të personave të shoqëruar.
Në një reagim publik, Berisha e cilësoi ndërhyrjen e policisë si “dhunë të egër” dhe “egërsi shtazore”, ndërsa akuzoi qeverinë se po i përgjigjet protestës së qytetarëve me forcë në vend të dialogut.
“Dënoj me ashpërsinë më të madhe dhunën dhe arrogancën e Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve që protestojnë. Është e papranueshme që, ndërsa në Parlament shërbëtorët e Edi Ramës përpiqen të zhvlerësojnë protestën madhështore të shqiptarëve, në rrugë dërgojnë policinë për t’i dhunuar ata që kërkojnë të dëgjohen”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, përdorimi i forcës ndaj protestuesve tregon se qeveria po vepron nga frika dhe jo nga forca.
“Kur një qeveri nuk i përgjigjet qytetarëve me argumente, por me forcë, ajo tregon frikë, jo fuqi. Dhuna ndaj protestuesve paqësorë dhe përpjekjet për të heshtur zërin e tyre janë shenja të qarta të arrogancës së pushtetit dhe të një regjimi që po humbet legjitimitetin në sytë e qytetarëve”, u shpreh ai.
Në përfundim të reagimit të tij, Berisha kërkoi lirimin e menjëhershëm të protestuesve të shoqëruar nga policia.
“Kërkoj lirimin e tyre të menjëhershëm!”, përfundoi kreu i Partisë Demokratike.














