Një mjet lundrues tip Jet Ski është bllokuar nga Policia Kufitare në Vlorë pasi u denoncua nga pushuesit për shkelje të perimetrit të sigurisë në zonën e Karaburunit, duke rrezikuar jetën e personave që ndodheshin në bregdet.

Sipas njoftimit zyrtar, qytetarët kanë raportuar rastin në Policinë e Shtetit dhe kanë dërguar edhe pamje filmike ku shfaqej Jet Ski që lëvizte pranë vijës bregdetare, në kundërshtim me rregullat e sigurisë.

Reklame

Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, ndërhynë duke lokalizuar dhe ndaluar mjetin lundrues teksa po afrohej pranë molit të peshkimit në territorin e SPK Triport.

Jet Ski u bllokua në pikën e bllokimit të mjeteve lundruese pranë SMIL-it, ndërsa drejtuesi i tij, shtetasi me iniciale E.U., u ndëshkua me masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj për shkeljen e rregullave të lundrimit dhe cenimin e sigurisë së pushuesve.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese që të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat detare, me qëllim parandalimin e incidenteve dhe garantimin e sigurisë përgjatë vijës bregdetare.

Reklame