Janë zbuluar identitetet e dy shqiptarëve të arrestuar nga policia greke pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Athinë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas pakistanez.

Sipas mediave greke, në pranga kanë rënë 31-vjeçari Jerasimo Korkuti dhe 27-vjeçari Adi Beqiri, të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit që organizoi sulmin ndaj pronarit të një dyqani celularësh në zonën e Patisias në Athinë.

Reklame

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 18:30, kur një person hyri në një dyqan telefonash celularë në rrugën “Patision” dhe qëlloi me armë zjarri pronarin e biznesit, me origjinë pakistaneze, duke e plagosur në këmbë.

Menjëherë pas sulmit, autori u largua me një automjet tip BMW, ku e prisnin edhe tre persona të tjerë. I plagosuri u transportua me urgjencë në spital, ndërsa policia nisi një operacion të gjerë për kapjen e autorëve.

Pas një ndjekjeje në rrugët e Athinës, makina e të dyshuarve u lokalizua në rrugën “Tsounta”, pranë bulevardit “Kifissou”, në aksin drejt Lamias. Gjatë tentativës për arratisje, automjeti u përplas me disa mjete të tjera, deri sa u neutralizua nga forcat e policisë.

Në përfundim të operacionit u arrestuan dy shqiptarët dhe një shtetas grek, ndërsa një person i katërt arriti të largohej dhe është shpallur në kërkim nga autoritetet greke.

Policia greke vijon hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të sulmit dhe rolit të secilit prej të arrestuarve në këtë ngjarje.

Reklame