Kanë kaluar 9 ditë nga zhdukja e Jurgen Karajt, 30-vjeçarit që dyshohet se u mor nga rrjedha e përroit në fshatin Dars të Klosit, por autoritetet ende nuk kanë arritur ta gjejnë. Pavarësisht deklaratave për vijimin e kërkimeve “intensive”, fati i të riut mbetet mister.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 8 janar, pak pas mesnate, kur një automjet tip Audi, me drejtues shtetasin Andi Llosha, humbi kontrollin dhe përfundoi në përroin e fshatit Dars. Drejtuesi i mjetit arriti të dalë nga automjeti dhe u arrestua nga policia, ndërsa pasagjeri Jurgen Karaj rezulton i zhdukur që prej asaj nate.

Reklame

Familja e të riut po jeton ditë ankthi dhe pasigurie. Babai i tij, Shaban Karaj, dhe vëllai, Endrin Karaj, u kanë bërë apel institucioneve shtetërore që të shtojnë forcat, mjetet dhe intensitetin e kërkimeve, në mënyrë që trupi i Jurgenit të gjendet dhe ngjarja të zbardhet plotësisht.

“Kërkoj vetëm të më gjejnë vëllanë dhe të ma sjellin në shtëpi. Zbardhjen e ngjarjes ia lëmë policisë, por dua që shteti të më gjejë vëllanë, ta varros dhe të di ku e kam,” shprehet vëllai i Jurgen Karajt, duke theksuar se prej 9 ditësh familja nuk ka asnjë shenjë apo informacion për fatin e tij.

Ai i bën thirrje edhe kryeministrit për ndërhyrje urgjente, duke kërkuar angazhimin e më shumë forcave për kërkimin e 30-vjeçarit. Ndërkohë, ngjarja vijon të ngrejë pikëpyetje dhe shqetësim të madh në opinionin publik për reagimin dhe kapacitetet e institucioneve në raste emergjente.

Reklame