Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke deklaruar se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk arrihet përmes propagandës, konferencave apo sloganeve politike.
Sipas saj, integrimi kërkon ekonomi të përgatitur, institucione funksionale dhe mbështetje konkrete për bizneset dhe qytetarët shqiptarë.
Xhixho thekson se aktualisht vetëm 15% e bizneseve shqiptare janë të përgatitura për tregun dhe standardet e Bashkimit Europian, ndërsa 85% e tyre rrezikojnë falimentimin nëse nuk arrijnë të përshtaten me kërkesat europiane.
Deputetja e PL-së nënvizon gjithashtu se rreth 98% e bizneseve nuk kanë mundësi financiare për të përballuar kostot e transformimit dhe përshtatjes me standardet e BE-së, duke i lënë sipërmarrjet pa mbështetje reale, subvencione apo skema efektive financimi.
Në reagimin e saj, ajo ngre shqetësime edhe për sigurinë ushqimore në vend, duke theksuar mungesën e kontrolleve dhe standardeve të qëndrueshme, ndërsa institucionet, sipas saj, reagojnë vetëm pasi skandalet bëhen publike.
Po ashtu, Xhixho kritikon fokusin e qeverisë tek “hapja e kapitujve” të negociatave, ndërsa sipas saj nuk po adresohen problemet reale të bizneseve, fermerëve dhe të rinjve që largohen nga Shqipëria për mungesë perspektive.
Në përfundim, deputetja e Partisë së Lirisë thekson se integrimi europian nuk është “dekor politik”, por një proces që kërkon reforma të thella dhe ekonomi konkurruese, në mënyrë që Shqipëria të mos hyjë e papërgatitur në tregun europian.















