Lezhë – Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Perimetri 2”, duke goditur një grup të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Laç.

Si rezultat i operacionit janë arrestuar 7 shtetas, ndërsa janë sekuestruar lëndë narkotike Cannabis Sativa, 6 automjete, telefona celularë dhe 7 pajisje elektronike që përdoreshin për lojëra fati.

Reklame

Sipas hetimeve, grupi siguronte lëndë narkotike, e ndante në doza dhe më pas e shpërndante në zona të ndryshme të Laçit, në disa raste edhe pranë shkollave.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, Seksioni i Mbështetjes Operacionale dhe Forca “Shqiponja” e DVP Lezhë, në bashkëpunim me FNSH Tiranë dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

Hetimet kishin nisur prej disa muajsh dhe janë zhvilluar me metoda speciale, pas informacioneve operative për aktivitetin kriminal të disa personave në qytetin e Laçit.

Policia bëri të ditur se u dokumentua ligjërisht aktiviteti kriminal, duke çuar në ndalimin e 4 shtetasve dhe arrestimin në flagrancë të 2 të tjerëve, të gjithë banues në Kurbin, të dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë kontrolleve u zbulua edhe një lokal ku organizoheshin lojëra fati me kompjuterë, në kundërshtim me ligjin. Për këtë rast u arrestua pronari i lokalit, babai i dy prej të arrestuarve, i cili sipas policisë nuk e kishte regjistruar aktivitetin dhe punonjësit në organet përkatëse.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

Reklame