Përplasja për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve kalon në Gjykatën Kushtetuese.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve dhe Forumi i Grave Gjyqtare kanë kundërshtuar procedurën e ndjekur për miratimin e ndryshimeve në ligjin për pagat e magjistratëve.

Reklame

Në reagimin e përbashkët, shoqatat bëjnë të ditur se nuk do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së kryeministrit Edi Rama për një tryezë diskutimi, por do të ndjekin rrugën kushtetuese.

Ata deklarojnë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për pezullimin e zbatimit të ligjit, shfuqizimin e tij dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes.

Shoqatat pretendojnë se procedura parlamentare është shoqëruar me shkelje të kërkesave kushtetuese. Sipas tyre, ndër problematikat janë miratimi i projektligjit përtej afatit të përcaktuar, mungesa e një analize financiare nga Këshilli i Ministrave, konsultimi joefektiv me grupet e interesit dhe hyrja e menjëhershme në fuqi e ligjit.

“Nuk është çështje parash”

Në deklaratë, përfaqësuesit e magjistratëve kundërshtojnë edhe mënyrën se si, sipas tyre, është paraqitur debati publik.

Kjo çështje nuk ka të bëjë me interesa financiare”, deklarojnë shoqatat, duke argumentuar se çështja lidhet me respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe garantimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Sipas tyre, statusi financiar i magjistratëve është i lidhur me garantimin e pavarësisë së tyre dhe ligji i ri cenon këto garanci.

Përplasja vjen pasi Kuvendi miratoi ndryshimet e reja për pagat e magjistratëve me 84 vota pro, ndërsa debati mes mazhorancës dhe përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë vijon.

Nga ana tjetër, Rama ka propozuar që çështja të diskutohet në një tryezë pune me përfaqësuesit e drejtësisë, ku të përfshihen edhe ekspertë të Këshillit të Europës dhe kontributi i CEPEJ, me synimin për një zgjidhje afatgjatë të sistemit të pagave.

Shoqatat e magjistratëve, megjithatë, deklarojnë se do të ndjekin procesin kushtetues dhe kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë me përparësi pretendimet e tyre.

Gjykata Kushtetuese është shprehur më herët për çështjen e pagave me vendimin nr. 15, datë 17 shkurt 2026, ndërsa më 7 shtator publikoi një deklaratë për zbatimin e këtij vendimi.

Lexo edhe:

Presidenti dekreton ligjin për pagat e magjistratëve, zhbllokohen pagesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Rama i shtrin dorën gjyqësorit për pagat: “Të ulemi në tryezë dhe të gjejmë një zgjidhje afatgjatë”

Reklame