Mazhoranca ka depozituar në Kuvend ndryshime të reja në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, të cilat pritet të hapin debat politik dhe institucional, pasi prekin drejtpërdrejt mënyrën e emërimeve, gradave dhe trajtimit të drejtuesve të lartë të policisë.
Drafti i propozuar nga qeveria parashikon që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pas largimit nga detyra, të rikthehet automatikisht në strukturat e policisë me gradën “Drejtues i Parë”, duke përfituar gjithashtu trajtim të veçantë me vendim të Këshillit të Ministrave.
Sipas ndryshimit të nenit 56 të ligjit aktual, ish-kryepolici nuk do të ketë të drejtë të riemërohet sërish në krye të Policisë së Shtetit, por mund të mbajë funksione këshillimore, pedagogjike apo të shërbejë si oficer kontakti.
Në relacionin shpjegues, deputeti socialist Bujar Rexha argumenton se një ish-drejtor i përgjithshëm përfaqëson “investim dekadash të shtetit” dhe se eksperienca e tij nuk duhet të humbasë pas largimit nga posti.
“Një ish-Drejtor i Përgjithshëm nuk është thjesht një emër, por përfaqëson një investim dekadash të shtetit, me njohuri të larta akademike dhe eksperiencë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare”, thuhet në relacion.
Hiqet gara për postet drejtuese
Një nga ndryshimet më të forta lidhet me heqjen e procedurave konkurruese për shumicën e posteve të larta në polici, përveç drejtuesit madhor.
Sipas Rexhës, proceset aktuale të konkurrimit janë kthyer në “pengesë burokratike”, duke ulur efikasitetin operacional dhe administrativ të Policisë së Shtetit.
Ndryshimet prekin pozicione si:
- Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm
- Drejtorët e departamenteve
- Drejtuesit vendorë
- Shefat e komisariateve
Mazhoranca argumenton se procedurat aktuale zgjasin shumë dhe nuk prodhojnë përzgjedhje efektive, ndërsa opozita pritet ta konsiderojë këtë si rritje të kontrollit politik mbi uniformat blu.
Ndryshon edhe sistemi i gradave
Projektligji parashikon edhe ndryshime në sistemin e gradave në polici. Konkretisht, afati për kalimin:
- nga “komisar” në “kryekomisar”
- dhe nga “kryekomisar” në “drejtues”
do të ulet nga 5 në 4 vite.
Sipas relacionit, sistemi aktual konsiderohet formal dhe demotivues për efektivët që japin rezultate konkrete në terren.
Po ashtu, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë i jepet kompetencë për të dhënë grada të përshpejtuara në raste të veçanta, pa pritur afatin minimal të viteve të shërbimit.
Këto promovime do të mund të jepen për:
- akte heroike
- sakrifica në detyrë
- rrezikshmëri të lartë
- rezultate në luftën kundër krimit
Projektligji pritet të shqyrtohet fillimisht në komisionet parlamentare, ku pritet debat i fortë mes mazhorancës dhe opozitës, përpara se të kalojë për votim në seancë plenare.















