Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Shqipëria po rrëshqet drejt autokracisë dhe se krimi i organizuar po pengon rotacionin politik në vend.

Gjatë fjalës së mbajtur në tryezën “Gratë politikane të rajonit, Suedisë dhe EPP-së bashkë për Integrimin”, Berisha tha se integrimi europian mbetet prioritet për opozitën, por sipas tij, vendi po përballet me probleme serioze në demokraci, drejtësi dhe zgjedhje.

Reklame

Duke iu referuar zgjedhjeve të 11 majit, Berisha deklaroi se ato u zhvilluan në një model “parti-shtet”.

“Nëse shikoni zgjedhjet e 11 majit të kaluar në Shqipëri, do të gjeni se ato u karakterizuan si zgjedhje ku kufiri mes institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake ishte zbehur ose zhdukur. Kjo do të thotë zgjedhje që u zhvilluan në një shtet-parti”, u shpreh ai.

Kryedemokrati tha se Shqipëria është “narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë”, duke akuzuar kartelet e drogës dhe krimin e organizuar se po mbajnë në pushtet qeverinë.

“Në Shqipëri nuk ka Rusi. Ka drogë dhe një fuqi të jashtëzakonshme që vjen prej saj. Prandaj kartelet e drogës dhe krimi i organizuar nuk lejojnë në këtë vend rrotacionin e pushtetit”, deklaroi Berisha.

Ai foli edhe për raportin e IBAR-it për Shqipërinë, duke theksuar se dokumenti është amenduar seriozisht për shkak të qëndrimit të qeverisë ndaj drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit.

“IBAR u votua sot për Shqipërinë, por u amendua në mënyrë serioze pas qëndrimit të qeverisë ndaj hetimeve, ndaj drejtësisë dhe ndaj luftës kundër korrupsionit”, tha kreu i PD-së.

Berisha shtoi se opozita kërkon krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira, ndërsa akuzoi kryeministrin për ndërhyrje në proceset hetimore dhe mbrojtje politike të zyrtarëve të lartë.

Në fund të fjalës së tij, ai u shpreh optimist për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe theksoi se integrimi në Bashkimin Europian mbetet rruga e vetme për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.

Reklame