Zbardhet dokumenti përfundimtar i vendeve anëtare të Bashkimit Europian për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit, ku toni ndaj qeverisë shqiptare rezulton dukshëm më i ashpër dhe më politik sesa drafti fillestar i Komisionit Europian.
Varianti final, i dakordësuar në COELA nga shtetet anëtare të BE-së, nuk mjaftohet më me vlerësime formale për reformat, por vendos kushte konkrete dhe kërkesa të matshme për Tiranën zyrtare në lidhje me sundimin e ligjit, korrupsionin dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Një nga pikat më të forta të dokumentit lidhet me mbrojtjen e SPAK-ut. Për herë të parë, Struktura e Posaçme përmendet specifikisht në një dokument të tillë të BE-së për Shqipërinë, ndërsa Brukseli shpreh shqetësim për “sulmet në rritje dhe shqetësuese” ndaj drejtësisë, përfshirë edhe nga nivele të larta politike.
“Të adresojë përpjekjet në rritje dhe shqetësuese nga zyrtarët publikë ose politikanët, përfshirë ato në nivele të larta në drejtësi, duke përfshirë edhe Strukturën e Specializuar për Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në dokument.
BE vlerëson rezultatet e SPAK-ut dhe gjykatave speciale në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë, por paralelisht thekson se korrupsioni mbetet i përhapur në administratë, pushtetin vendor dhe sektorët kryesorë të ekonomisë. Në gjuhën diplomatike të Brukselit, korrupsioni nuk konsiderohet më thjesht “shqetësim serioz”, por një problem “thelbësor”, çka interpretohet si një sinjal i fortë paralajmërues ndaj qeverisë shqiptare.
Dokumenti ndalet edhe te ndërhyrjet politike dhe parlamentare në hetimet e SPAK-ut, duke kërkuar respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe standardeve të Komisionit të Venecias për imunitetin parlamentar. Kjo shihet si një referencë indirekte ndaj debatit për mbrojtjen politike të zv/kryeministres Belinda Balluku nga mazhoranca.
Një tjetër element që bie në sy është përmendja për herë të parë e “rrjeteve patronazhiste”. Bashkimi Europian kërkon reduktimin e ndikimit të tyre në zgjedhje, ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore dhe garantimin e një gare të barabartë politike.
“Shqipëria duhet të sigurojë kushte të barabarta loje në zgjedhje, të parandalojë keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe ndikimit institucional, si dhe të zvogëlojë ndikimin e rrjeteve të patronazhit”, theksohet në raport.
Dokumenti final ngre shqetësime edhe për çështjen e pronave, veçanërisht në zonat bregdetare dhe zonat e minoriteteve, ku përmenden problematikat me shpronësimet dhe mungesën e kompensimit të drejtë.
Po ashtu, BE kërkon forcimin e integritetit të policisë, rritjen e autonomisë së pushtetit vendor dhe transparencë më të madhe për ndërmarrjet shtetërore.
Dokumenti pritet të kalojë në COREPER, mbledhjen e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, ndërsa më 26 maj do të mbahet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama.
Pikat kryesore të dokumentit final:
- SPAK-u përmendet dhe mbrohet në mënyrë eksplicite;
- Sulmet politike ndaj drejtësisë cilësohen “në rritje dhe shqetësuese”;
- Korrupsioni konsiderohet problem “thelbësor”;
- Për herë të parë përmenden rrjetet patronazhiste;
- Evidentohen ndërhyrjet parlamentare në hetimet e SPAK-ut;
- Respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese vendoset si kusht;
- Përmenden abuzimet me pronat në bregdet dhe zonat e minoriteteve;
- Vendosen kërkesa konkrete për policinë, pushtetin vendor dhe ekonominë.















