Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Konferencës Aziatike të Lidershipit në Seul të Koresë së Jugut, një forum ndërkombëtar i zhvilluar nën moton “Jashtë turbullirave – drejt një ekuilibri të ri”.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi transformimin e Koresë së Jugut, duke e cilësuar atë si një dëshmi se historia ka rëndësi, por nuk e përcakton e vetme fatin e kombeve.
“Koreja është dëshmi se historia ka rëndësi, por e vetme historia nuk e vendos dot fatin”, deklaroi ai.
Kryeministri kujtoi vizitën e tij të parë në Seul më shumë se dy dekada më parë, kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndërsa Shqipëria sapo kishte dalë nga izolimi komunist.
Ai krahasoi rrugëtimin e Koresë së Jugut me atë të Shqipërisë, duke theksuar se vendi ynë ka kaluar nga izolimi drejt ndërtimit të institucioneve demokratike dhe integrimit europian.
“Shqipëria ishte ‘Koreja e Veriut e Europës’, ndërsa sot po ecën në një rrugë tjetër, drejt Bashkimit Europian”, u shpreh Rama.
Në fjalimin e tij, kreu i qeverisë shqiptare foli edhe për zhvillimin ekonomik të vendeve aziatike, duke përmendur Japoninë, Singaporin, Tajvanin dhe Korenë e Jugut si modele të transformimit përmes pragmatizmit, inovacionit dhe bashkëpunimit.
Rama ndau gjithashtu reflektime mbi lidershipin, duke theksuar se drejtimi i një vendi kërkon guxim për të vepruar edhe në kushte pasigurie.
“Lidershipi i vërtetë nuk i përket spektatorëve që gjykojnë nga distanca, por atyre që hyjnë në arenë dhe guxojnë”, deklaroi ai.
Në fund të fjalës së tij, Rama vlerësoi arritjet ekonomike të Koresë së Jugut dhe tha se transformimi i saj tregon se asgjë nuk është e pamundur për vendet që zgjedhin hapjen, modernizimin dhe bashkëpunimin.















