Një 44-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë.
Në pranga ra shtetasi Rezart Abazaj, i cili sipas policisë u përplas me një patrullë të efektivëve gjatë tentativës për t’i shpëtuar ndalimit. Ngjarja ndodhi në zonën e ish-kënetës në Durrës, një segment i njohur për aksidente të rënda rrugore.
Pas testit të alkoolit, 44-vjeçari rezultoi me nivel prej 1.4 mg/l alkool në ajrin e nxjerrë, shumë mbi normat e lejuara.
Sipas të dhënave paraprake, policia kishte marrë sinjalizime nga qytetarët se një automjet po lëvizte me shpejtësi të lartë dhe po kryente manovra të rrezikshme në zonë. Menjëherë pas ndërhyrjes së efektivëve, drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit për ndalim, duke shkaktuar edhe përplasjen me patrullën.
Zona ku ndodhi incidenti është po ajo ku pak kohë më parë humbën jetën dy fëmijë, pasi u përplasën tragjikisht nga automjeti që drejtohej nga Nikoll Radaçi.
Burime bëjnë me dije se Abazaj rezulton person përsëritës në shkelje të qarkullimit rrugor dhe incidente të ngjashme. Hetimet për rastin vijojnë.














