Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ka reaguar pas raportimeve mediatike mbi problematikat në projektin “Durrës Marina”, duke konfirmuar se dy godina banimi dhe shërbimi kanë pësuar ulje të konsiderueshme strukturore.
Sipas njoftimit zyrtar, inspektimet janë kryer për objektet e ndërtuara në zonat e menaxhimit A02 dhe A04, të cilat ndodhen aktualisht në fazën e sistemimeve të jashtme.
Në verifikim kanë marrë pjesë inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT), IMT Durrës, si dhe specialistë të Institutit të Ndërtimit.
Raporti topografik i Institutit të Ndërtimit ka konstatuar se:
- Objekti 02 ka pësuar ulje prej 28 cm
- Objekti 04 ka pësuar ulje prej 18 cm
Sipas IKMT-së, këto gjetje lidhen me dy objekte shumëkatëshe në fazë ndërtimi në projektin “Durrës Marina”.
Pas konstatimeve, IKMT i ka kërkuar kompanisë zbatuese të projektit marrjen e menjëhershme të masave për projekt-përforcime teknike, me qëllim garantimin e qëndrueshmërisë së strukturave.
Autoriteti thekson se çdo ndërhyrje duhet të miratohet paraprakisht nga institucionet përgjegjëse, për të siguruar respektimin e kushteve teknike të ndërtimit.
IKMT deklaron se do të vijojë monitorimin e situatës në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe mbetet e angazhuar për zbatimin e ligjit në kantieret e ndërtimit.















