Hetimi për vrasjen e Eglant Koçit vijon në disa pista, ndërsa një “Exchange” në Tiranë dhe dëshmitë e dy lavazhierëve janë bërë pjesë e dosjes.
Policia po verifikon lëvizjet e Armand Shakajt dhe lidhjet e mundshme të ngjarjes me paratë e call center-ave dhe kriptomonedhat.
Sipas të dhënave të publikuara nga Top Channel, familjari i Koçit i kishte treguar Policisë se 34-vjeçari konvertonte kriptomonedha në një subjekt pranë Laprakës.
Administratori i “Exchange”-it ka dhënë dëshmi se Koçi nuk ishte paraqitur aty për më shumë se një muaj.
Kjo është një nga elementet që hetuesit po verifikojnë në lidhje me ditën kur Koçi shkoi në biznesin e shokut të tij. Shakaj, i cili vijon të jetë në kërkim dhe dyshohet për përfshirjen në ngjarje, ishte marrë në pyetje në momentet kur nuk dihej ende fati i 34-vjeçarit.
Gjatë dëshmisë së tij, Shakaj kishte pretenduar se e kishte takuar Koçin më 3 qershor dhe se i riu ishte i shqetësuar për paratë e kriptomonedhave dhe aktivitetin e call center-ave. Ai kishte treguar edhe një histori për persona që mbanin portofolat dixhitale të grupit.
Pas marrjes në pyetje, Shakaj u zhduk dhe nuk iu përgjigj më telefonatave të Policisë. Ndërkohë, kamerat e sigurisë ndihmuan hetuesit të rindërtonin lëvizjet e Koçit më 4 qershor. Pamjet tregojnë se ai shkoi me motor në biznesin e Shakajt dhe rreth 40 minuta më vonë, një person i veshur me të zeza doli prej aty me motorin e viktimës.
Një tjetër element i rëndësishëm në dosje lidhet me datën 5 qershor. Sipas pamjeve të sigurisë, rreth orës 23:30, Shakaj shihet duke nxjerrë nga ambientet një qese në formën e trupit të njeriut dhe më pas e largon atë me automjet.
Trupi i Eglant Koçit u gjet pas disa ditësh kërkimesh, ndërsa ekspertiza e ADN-së konfirmoi identitetin e tij. Në burg vijon të mbahet edhe 25-vjeçari Ena Zyferi, i cili dyshohet se ka ndihmuar Shakajn duke fikur kamerat.
Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe dy lavazhierë. Sipas dëshmive të tyre, Shakaj u kishte lënë një Porsche për ta larë dhe u kishte thënë se do të vinte ta merrte pasi të pastrohej mirë.
Gjatë larjes së automjetit, dy punëtorët vunë re në pjesën e tapetit, pas sediljes së shoferit, një lëng të kuq që në pamje të parë ngjante me gjak. Ky detaj është bërë pjesë e verifikimeve të Prokurorisë për të përcaktuar çfarë ka ndodhur me automjetin dhe nëse ka lidhje me ngjarjen.
Hetimi vijon për të dokumentuar plotësisht rrethanat e vrasjes së Eglant Koçit dhe rolin e personave të dyshuar në ngjarje./MARRË NGA TOPCHANNEL
Lexo edhe:
Detaje të reja për vrasjen e Eglant Koçit, i dyshuari Armand Shakaj u fsheh 10 ditë në Elbasan















