Një raport i Shërbimi Informativ Shtetëror, i shpërndarë tek zyrtarët më të lartë të shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme, ka ngritur alarmin për një skemë të dyshuar abuzive me dhënien e shtetësisë shqiptare për shtetas të huaj, të cilët prezantohen si “sportistë elitarë”.

Sipas raportit, fenomeni është kthyer në një biznes të organizuar ku dyshohet se përfshihen zyrtarë të federatave sportive, institucione shtetërore dhe persona të lidhur me rrjete të trafikimit të emigrantëve.

Reklame

Në dokument thuhet se persona nga vende të Afrikës, Ukraina dhe zona të tjera konflikti hyjnë në Shqipëri dhe pajisen me dokumente që i paraqesin si sportistë profesionistë. Më pas, përmes procedurave të përshpejtuara, ata arrijnë të marrin shtetësinë shqiptare dhe pasaportën e Republikës së Shqipërisë.

Sipas raportimit, skema funksionon në disa hallka, duke nisur nga agjenci të dyshuara për trafik emigrantësh, federata sportive që hartojnë kontrata fiktive sportive, deri tek institucionet që miratojnë dokumentacionin përkatës.

Federatat sportive i dërgojnë kontratat pranë Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, i cili më pas i përcjell për miratim në ministrinë përgjegjëse për sportin. Në fund, praktika i kalon për dekretim Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Raporti ngre dyshime se shumë prej këtyre “sportistëve elitarë” nuk kanë qenë asnjëherë pjesë aktive e sportit shqiptar dhe nuk jetojnë më në Shqipëri pas marrjes së pasaportës.

Sipas të dhënave të publikuara, vetëm gjatë vitit 2023 një federatë sportive shqiptare ka realizuar mbi 20 procedura shtetësie për persona nga Ukraina dhe vende të botës së tretë, ndonëse aktiviteti real sportiv i saj ka qenë minimal.

Skandali rikthen në vëmendje debatet e viteve të mëparshme mbi dhënien e shtetësive për të huajt, çështje që ishte bërë objekt përplasjesh politike edhe gjatë presidencës së Ilir Meta.

Artikulli investigativ është publikuar nga Elton Qyno për Syri.net.

Reklame