Hetimet e Prokurorisë së Korçës ndaj ish-zyrtarëve të Burgut të Drenovës në Korçë po zbardhin elementë të rinj që lidhen me futjen e personave të paautorizuar në ambientet e burgut të sigurisë së lartë.
Sipas dosjes hetimore, një dokument i administruar së fundmi nga drejtoria e burgut ka ngritur një tjetër pistë në hetim: një deklaratë noteriale ku modelja kosovare Ziza Pajaziti ka pretenduar se ka qenë bashkëjetuese e të dënuarit me burgim të përjetshëm Laert Haxhiu gjatë kohës kur ai ndodhej jashtë burgut. Ky dokument, me vlerë juridike, është dorëzuar në institucion dhe më pas është përfshirë në materialet e prokurorisë.
Hetuesit po verifikojnë nëse ky status ka shërbyer si bazë për lejimin e saj në një “takim special” brenda burgut, çka ligjërisht mund të justifikojë hyrjen, por që ngre dyshime për procedurat e ndjekura nga stafi i institucionit.
Në fokus të hetimit ndodhen ish-drejtori i burgut Fatjon Fasho dhe ish-shefi i policisë së institucionit Sokol Kaçoli, të dy të dyshuar për “shpërdorim detyre”. Sipas materialeve të referuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, dyshohet se janë lejuar praktika që kanë mundësuar hyrjen e personave të paautorizuar në një burg të sigurisë së lartë.
Nga ana tjetër, vetë Ziza Pajaziti nuk është gjetur nga autoritetet për më shumë se një vit, ndërsa Prokuroria e Korçës ka kërkuar informacione zyrtare për vendndodhjen e saj, me qëllim marrjen në pyetje.
Rasti mbetet në hetim dhe deri më tani nuk ka persona të marrë zyrtarisht si të pandehur. Prokuroria pritet të sqarojë në vijim nëse dokumentacioni i dorëzuar ka efekt ligjor në çështje apo përbën vetëm element justifikues në një procedurë të dyshuar abuzive.















