Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka reaguar pas incidentit me të shtëna me armë zjarri gjatë White House Correspondents’ Dinner, e zhvilluar në hotelin Washington Hilton.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Kallas theksoi se dhuna politike është e papranueshme në një shoqëri demokratike, ndërsa shprehu lehtësim që të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë presidentin Donald Trump, janë jashtë rrezikut.
“Dhuna politike nuk ka vend në një demokraci. Një ngjarje që synon të nderojë një shtyp të lirë nuk duhet të bëhet kurrë një skenë frike”, u shpreh ajo, duke i uruar gjithashtu shërim të shpejtë oficerit të plagosur gjatë incidentit.
Ngjarja ndodhi në momentet e para të nisjes së darkës, kur u dëgjuan të shtëna në hyrje të sallës, duke shkaktuar panik mes të pranishmëve. Sipas dëshmive, pjesëmarrësit u shtrinë në dysheme, ndërsa presidenti Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, u evakuuan menjëherë nga agjentët e sigurisë.
Forcat e Shërbimi Sekret i SHBA ndërhynë me shpejtësi, duke hyrë të armatosura në sallë dhe duke evakuuar gazetarët, politikanët dhe personalitetet e pranishme.
Autori i dyshuar u arrestua në vendngjarje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë. Incidenti ka ngritur shqetësime të reja për sigurinë në evente të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara.















