Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Rastet”, duke goditur disa ambiente të paligjshme të lojërave të fatit në zonat e Laçit dhe Milotit.

Aksioni u ndërmor pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ndërsa gjatë kontrolleve u zbuluan tre raste ku ambiente të ndryshme ishin përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit me makineta dhe tavolina pokeri. Në njërin prej tyre, përveç kësaj veprimtarie, ushtrohej edhe shitje e lëndëve narkotike. Si rezultat i operacionit, policia sekuestroi 15 makineta, 3 tavolina pokeri, një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë të ndarë në doza, si dhe para dhe pajisje të tjera që shërbenin për aktivitetin e paligjshëm.

Reklame

Në pranga kanë rënë shtetasit Shkëlzen Preni 21 vjeç, Dorjan Medha 33 vjeç dhe Ylli Veseli 45 vjeç. Ndërkohë, është proceduar penalisht shtetasi S. Sh., 61 vjeç, pronar i një lokali në Laç ku u zbuluan 8 makineta dhe 2 tavolina pokeri, ambient që dyshohet se administrohej në bashkëpunim me dy të arrestuarit. Gjithashtu, në Milot, në lokalin e shtetasit Ylli Veseli u gjetën 6 pajisje për lojëra fati, ndërsa në një tjetër ambient në pronësi të Pjetër Lleshit u zbuluan 2 makineta dhe 1 tavolinë pokeri.

Ky i fundit është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij. Policia bën me dije se kontrollet për goditjen e lojërave të fatit dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme do të vijojnë në të gjithë vendin.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

Reklame