Kryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim me fermerët e qarkut Berat, ku akuzoi qeverinë për mashtrim lidhur me subvencionet e naftës dhe paralajmëroi për vështirësi serioze në sektorin bujqësor.

Gjatë takimit, Berisha u shpreh se kryeministri Edi Rama po dezinformon fermerët kur deklaron se në Evropë nuk subvencionohet më nafta për bujqësinë.

Reklame

Sipas tij, në të gjitha vendet evropiane vazhdon mbështetja për fermerët përmes subvencionimit të karburantit, ndërsa politikat aktuale në Shqipëri po i çojnë ata drejt falimentimit.

“Po u thuhet fermerëve se në Evropë nuk subvencionohet më nafta, në një kohë kur nuk ka asnjë vend që nuk e bën këtë. Kjo është një mënyrë për t’i mashtruar dhe për t’i përçmuar ata që punojnë nga mëngjesi deri në darkë”, deklaroi Berisha.

Ai kritikoi gjithashtu skemën aktuale të rimbursimit prej 10%, duke theksuar se ajo lidhet me TVSH-në dhe jo drejtpërdrejt me subvencionimin e naftës, duke e cilësuar si të pamjaftueshme për të përballuar kostot e larta të prodhimit.

Berisha paralajmëroi se rritja e çmimit të karburantit po e bën punimin e tokës ekonomikisht të paleverdishëm, duke rrezikuar braktisjen e tokave bujqësore.

“Fermeri është më i ekspozuari ndaj rreziqeve dhe ka fitimin më të vështirë. Nëse nuk ndërhyhet, tokat do të mbeten djerrë dhe sektori do të shkojë drejt falimentimit”, u shpreh ai.

Në fund, kreu i opozitës solli si shembull vendet evropiane, duke përmendur edhe Gjermaninë, e cila sipas tij ka rritur mbështetjen për fermerët për të përballuar kostot në rritje.

Takimi në Berat vjen në një kohë kur çështja e subvencioneve në bujqësi dhe çmimit të naftës mbetet një nga shqetësimet kryesore për fermerët në vend.

Reklame