Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar përgjysmimin e menjëhershëm të taksave mbi naftën, duke e cilësuar nivelin aktual të barrës fiskale si më të lartin në botë.

Në një deklaratë publike, Berisha theksoi se taksimi i karburantit në Shqipëri duhet të ulet në nivelin e vendeve të rajonit, si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ku sipas tij është rreth 50% më i ulët.

Reklame

Ai argumentoi se çdo ndërhyrje tjetër përveç uljes së drejtpërdrejtë të taksave është e paefektshme dhe në favor të arkës së shtetit. Sipas Berishës, rritja e çmimit të naftës ka sjellë të ardhura shtesë për qeverinë, por këto fonde nuk janë reflektuar në ndihmë për qytetarët.

“Qeveria ka akumuluar rreth 80 milionë euro në vit nga rritja e çmimeve, por asnjë qindarkë nuk është shpërndarë për pensionistët apo shtresat në nevojë”, u shpreh ai.

Berisha theksoi se aktualisht taksat përbëjnë rreth 60% të çmimit të naftës në Shqipëri, një nivel që sipas tij nuk gjendet në asnjë vend tjetër.

Krahas uljes së barrës fiskale, ai kërkoi edhe masa kompensuese për shtresat në nevojë dhe biznesin e vogël, duke argumentuar se këto kategori janë më të goditurat nga rritja e çmimeve.

Sipas tij, një skemë kompensimi do të ndihmonte pensionistët të përballonin kostot e jetesës dhe do t’u jepte frymëmarrje bizneseve të vogla për të shmangur falimentimin.

Reklame