Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për, sipas tij, mashtrim ndaj pensionistëve përmes skemës së bonuseve, ndërsa theksoi se rritja e çmimeve po godet rëndë këtë shtresë.

Në një deklaratë publike, Berisha e cilësoi qëndrimin e qeverisë si “cinik dhe të pashpirt”, duke theksuar se pensionistët janë shtresa më e vulnerabël dhe më e goditur nga kriza ekonomike.

Reklame

Ai u ndal te fondi prej 240 milionë eurosh, i cili sipas tij është depozituar dhe nuk është shpërndarë ende për pensionistët, pavarësisht premtimeve të bëra. “Kanë kaluar muaj dhe asnjë qindarkë nuk është disbursuar. Kjo tregon se fondi po përdoret për qëllime të tjera dhe po mbahet për t’u dhënë në fund të vitit”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, skema e bonusit është e padrejtë dhe përjashton një pjesë të madhe të pensionistëve, përfshirë ata me pensione invaliditeti apo të pjesshme. Ai pretendoi se mbi 45% e tyre nuk përfitojnë realisht ose marrin shuma minimale.

Berisha ngriti shqetësimin edhe për rritjen e fortë të çmimeve, veçanërisht të produkteve ushqimore, duke përmendur se çmime të tilla nuk janë parë më parë në treg. Ai theksoi se kjo situatë po e bën gjithnjë e më të vështirë jetesën për rreth 750 mijë pensionistë në vend.

Sipas tij, përveç ushqimit, pensionistët po përballen me vështirësi edhe për të siguruar ilaçet e nevojshme, duke qenë se kjo shtresë ka një incidencë të lartë të sëmundjeve kronike.

Reklame