Ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta ndaj sistemit të drejtësisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke u ndalur te çështja e shumëdebatuar e dosjes “Partizani” dhe roli i institucioneve të reja të drejtësisë.

Gjatë një deklarate për mediat, Berisha kritikoi mënyrën se si po trajtohet çështja e gjyqtares Irena Gjoka, duke e cilësuar si një rast flagrant konflikti interesi. “Irena Gjoka do të gjykohet në gjykatën e saj. Kjo është në kundërshtim me çdo praktikë të drejtësisë shqiptare. Është një turp”, u shpreh ai, duke shtuar se në raste të tilla zakonisht caktohen gjyqtarë nga rrethe të tjera për të garantuar paanshmëri.

Reklame

Ai akuzoi gjithashtu se vendimmarrja për këtë çështje është ndikuar nga drejtues të sistemit, duke përmendur edhe emra konkretë brenda institucioneve të drejtësisë.

Sa i përket dosjes “Partizani”, Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama duhej të ishte prej kohësh nën ndjekje penale dhe jo thjesht i thirrur si dëshmitar. Sipas tij, Rama ka pasur rol kyç në ndryshimin e destinacionit të truallit të ish-klubit “Partizani”, pa kërkesë nga pronarët dhe në kundërshtim me procedurat ligjore.

Berisha pretendon se Rama ka dhënë leje ndërtimi për këtë zonë dhe më pas ka penguar zhvillimin e saj, duke mos zbatuar edhe vendime gjykate. “Gjykata e dënoi me 320 mijë euro dhe ai i pagoi nga xhepi i bashkisë dëmet që u kishte shkaktuar pronarëve”, tha ai.

Sipas tij, të gjitha këto veprime janë të dokumentuara në dosje dhe përbëjnë bazë për ndjekje penale ndaj kryeministrit. Ai akuzoi SPAK se ka refuzuar të marrë në pyetje Ramën për këto çështje, pavarësisht kërkesave të bëra nga të pandehurit.

Në lidhje me mundësinë që Rama të thirret në gjykatë si dëshmitar, Berisha u shpreh i gatshëm për përballje publike. “Po të më thërrasë gjykata, do të shkoj me kënaqësi. Të jetë me kamera dhe ta shohin të gjithë shqiptarët”, deklaroi ai, duke shtuar se një ballafaqim i tillë do të zbardhte të vërtetën.

Në përfundim, Berisha paralajmëroi se debati për drejtësinë dhe dosjen “Partizani” do të vijojë, duke e cilësuar situatën si një “serial” që, sipas tij, sapo ka nisur.

Reklame