Ilir Selmani, i dënuar me 26 vite burg për vrasjen e ish-efektivit të policisë Santiago Malko, është paraqitur këtë të martë në Apelin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku po zhvillohet rigjykimi i çështjes së tij.
Selmani, i cili aktualisht ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, u shoqërua në gjykatë për seancën e radhës. Trupa gjykuese vendosi ta shtyjë shqyrtimin për më 7 korrik, pasi mbrojtja nuk kishte përgatitur konkluzionet përfundimtare.
Gjatë kësaj periudhe, Selmani do të vijojë të qëndrojë në arrest shtëpie. Kjo masë iu caktua pas përfundimit të afateve të paraburgimit dhe vendimit të Gjykatës së Lartë për kthimin e dosjes në Apelin e GJKKO për rigjykim.
Gjykata pranon ndryshimin e vendbanimit
Në të njëjtën seancë, gjykata pranoi kërkesën e mbrojtjes për ndryshimin e vendbanimit të Selmanit, me argumentin se kushtet e jetesës në adresën aktuale nuk ishin të përshtatshme.
Ilir Selmani është shpallur fajtor nga GJKKO si pjesë e grupit të njohur si “Duka”, në procesin gjyqësor që lidhet me ekzekutimin e ish-policit Santiago Malko.
Zhvillimet në procesin gjyqësor vijnë vetëm pak ditë pasi, mbrëmjen e së hënës, pranë banesës ku Selmani po qëndron në arrest shtëpie dhe që ruhet nga forcat e policisë, u ndalua një person i armatosur.
Bëhet fjalë për Emiljano Ninën, i njohur nga autoritetet si person me lidhje me Ervis Martinajn. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ngritur dyshime për një tentativë të mundshme hakmarrjeje, ndërsa organet ligjzbatuese vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivet e plota të rastit.














