Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka hedhur kritika të forta ndaj varianteve të propozuara nga Partia Socialiste për reformën territoriale, duke i cilësuar ato si të paqarta dhe pa një vizion të qartë për zhvillimin e vendit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Boçi shprehet se katër variantet e prezantuara nga mazhoranca – që përfshijnë konsolidimin funksional, decentralizimin, forcimin e qarqeve dhe krijimin e rajoneve strategjike – nuk ofrojnë zgjidhje konkrete, por përpiqen të ruajnë status quo-në e krijuar nga reforma e vitit 2015.
Sipas tij, Partia Socialiste ka nxjerrë në diskutim reformën pa një projekt të mirëfilltë dhe pa bërë më parë një bilanc të reformës së mëparshme. “Kemi shumë skica, por ende asnjë përgjigje serioze”, thekson Boçi, duke shtuar se variantet janë thjesht variacione të së njëjtës logjikë politike.
Deputeti demokrat argumenton se realiteti i sotëm është krejt ndryshe nga ai i një dekade më parë, duke përmendur tkurrjen demografike, boshatisjen e zonave rurale dhe polarizimin ekonomik. Sipas tij, një hartë territoriale e “ngrirë në kohë” nuk mund t’u përgjigjet këtyre ndryshimeve.
Boçi kritikon gjithashtu reformën e vitit 2015, duke thënë se ajo nuk e afroi shtetin me qytetarin, por përkundrazi e largoi atë. Ai thekson se bashkitë janë bërë më të varura nga qeveria qendrore, ndërsa administrata lokale është politizuar dhe kontrolli qytetar është dobësuar.
Në këtë kontekst, ai propozon një qasje të re, që përfshin rritjen e numrit të bashkive, si një mënyrë për të rikthyer qeverisjen pranë komunitetit, për të rritur llogaridhënien dhe për të nxitur zhvillimin lokal. Sipas Boçit, kjo nuk përbën kthim pas, por një hap drejt decentralizimit real.
Ai akuzon Partinë Socialiste se shmang qëllimisht këtë debat, pasi rritja e numrit të bashkive do të prekte ekuilibrat politikë dhe kontrollin mbi fondet dhe pushtetin vendor.
Në përfundim, Boçi thekson se Shqipëria ka nevojë për një reformë territoriale të thellë dhe të guximshme, e cila të nisë me një analizë të sinqertë të problemeve dhe të synojë afrimin e shtetit me qytetarin, e jo ruajtjen e interesave politike.















