Tre mjekë të maternitetit të Pogradecit janë proceduar penalisht pas vdekjes së 36-vjeçares shtatzënë Marjana Karolina Bunaj, e cila humbi jetën gjatë transportimit drejt Tiranës.
Sipas Policisë, bëhet fjalë për mjekët Blerta Delijan, 35 vjeçe, Anri Topi, 40 vjeç, dhe Saimir Çela, 34 vjeç, të cilët ushtronin detyrën në maternitetin e Pogradecit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 30 gushtit, kur 36-vjeçarja, shtatzënë në muajin e shtatë, është paraqitur në maternitetin e Pogradecit në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Pas ekzaminimit nga tre mjekët, ajo është nisur me autoambulancë drejt Tiranës për të marrë trajtim të specializuar.
Por gjatë rrugës, gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar. Ambulanca është devijuar drejt maternitetit të spitalit të Elbasanit, ku 36-vjeçarja është konstatuar pa shenja jete.
Pas ngjarjes, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec kanë referuar materialet në Prokurori, ndërsa ndaj tre mjekëve ka nisur procedimi penal për veprën “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës, e cila do të vijojë hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe nëse ka pasur shkelje apo neglizhencë në trajtimin e 36-vjeçares.
Procedimi penal nuk nënkupton fajësi të provuar dhe përgjegjësia e mjekëve do të përcaktohet në përfundim të hetimit dhe procedurave gjyqësore.
Lexo edhe
“Fute te spitali i Elbasanit se na iku”/ Shtatzëna 37-vjeçare ndërron jetë rrugës për në Tiranë








