Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur në Maqellarë të Dibrës, ku mbeti i plagosur efektivi i forcave “Shqiponja”, Gentjan Meda, gjatë një operacioni për kapjen e një personi të shpallur në kërkim.

Sipas raportimeve, gjatë ndërhyrjes për arrestimin e Klodian Llomi, efektivi ka rënë nga muri rrethues i një banese trekatëshe, duke pësuar dëmtime në kokë dhe në trup. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit.

Reklame

Fillimisht, policit të plagosur iu dha ndihma e parë në Qendrën Shëndetësore të Maqellarës dhe më pas u transportua me helikopter drejt Tiranës për mjekim më të specializuar. Burime bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Një banore e zonës ka treguar për mediat momentin kur e pa efektivin të shtrirë në tokë:
“Tha ‘vdiqa bre’, më erdhi gjynah. E shikon ku janë tullat, aty ishte shtrirë. Ishte i gjakosur. Mund të kenë rënë më herët por s’kemi dëgjuar. Mund të ketë qenë ora 6”, u shpreh ajo.

Gjatë operacionit ka mbetur i plagosur edhe kolegu i tij, Bilal Gjapi, i cili sipas informacioneve ka pësuar thyerje në këmbë.

Ndërkohë, 35-vjeçari Llomi është arrestuar nga efektivët e tjerë të Policisë dhe është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Ai rezulton i dënuar nga Gjykata e Apelit në Romë me 6 vite e 7 muaj burg për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”.

Reklame