Operacioni për arrestimin e të shumëkërkuarit Klodian Mazari, i njohur edhe me mbiemrin Llomi, nuk ka shkuar sipas parashikimeve për efektivët e Policisë së Dibrës.

Gjatë ndërhyrjes për ta vënë në pranga 35-vjeçarin në Maqellarë, efektivi i forcave “Shqiponja”, Gentjan Meda, është shtyrë nga i kërkuari dhe ka rënë nga muri rrethues i banesës, duke pësuar lëndime të rënda trupore gjkithahstu eshte plagosur edhe polici tjeter Bilal Gjapi.

Reklame

Polici i plagosur është transportuar me helikopter drejt Spitali i Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar mjekësor.

Mazari, banues në fshatin Kërçisht të Maqellarës, është dënuar nga Gjykata e Apelit e Romës dhe i kanë mbetur për të vuajtur 6 vite, 7 muaj e 2 ditë burg. Vendimi i autoriteteve italiane është njohur nga Gjykata e Apelit në Shqipëri, çka do të thotë se ai do ta vuajë dënimin në vendin tonë.

Sipas dosjes, veprat penale për të cilat 35-vjeçari është shpallur fajtor — “Organizatë kriminale”, “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike” — janë kryer në zonën e Casertës, në Itali, gjatë viteve 2016–2017.

Njoftimi i Policisë

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër bëri me dije se operacioni i koduar “Vendimi” u finalizua në orët e para të mëngjesit, falë bashkëpunimit mes strukturave hetimore dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Gjatë kapjes së personit në kërkim, inspektor G.M. është rrëzuar nga muri rrethues, duke pësuar dëmtime trupore. Ai u dërgua me helikopter drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.

Reklame