Prokuroria e Posaçme ka vendosur sekuestrimin e një apartamenti në Qerret të Kavajës, në pronësi të shtetasit kosovar Shemsi Bahtiri, i arrestuar nën dyshimet për trafik droge dhe pastrim parash.
SPAK u vu në lëvizje pas një kërkese për ndihmë të ndërsjellë juridike nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila po heton Bahtirin për përfshirje në aktivitet kriminal të trafikut të lëndëve narkotike.
Shemsi Bahtiri, ish-anëtar i Lëvizja Vetëvendosje, parti e drejtuar nga Albin Kurti, është përjashtuar nga subjekti politik, ndërsa arrestimi i tij erdhi pas zbërthimit të aplikacionit të koduar Sky ECC, të siguruar nga autoritetet franceze – një nga goditjet më të forta ndaj rrjeteve kriminale ndërkombëtare.
Prokuroria Speciale e Kosovës i kërkoi SPAK-ut ndihmë për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të personave të dyshuar si pjesë e grupit kriminal, nën dyshimet se fitimet nga trafiku i drogës janë investuar në pasuri, si toka, banesa, apartamente dhe mjete luksoze.
Nga verifikimet rezultoi se në emër të Bahtirit është regjistruar subjekti “DAIMAN” shpk, me objekt veprimtarie shitblerje pasurish të paluajtshme, i regjistruar më 11.03.2025, fakt që ka ngritur dyshime të forta për pastrim parash përmes sektorit imobiliar.
Apartamenti në Qerret të Kavajës, tashmë, është vendosur zyrtarisht nën sekuestro.
Shemsi Bahtiri dyshohet për veprat penale: Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar Blerja, posedimi dhe shpërndarja e narkotikëve Pastrim parash
Ai u arrestua në kuadër të operacionit të koduar “Qielli i Thyer”, ku gjatë kontrolleve u sekuestruan lëndë narkotike, shuma të mëdha parash, armë, laptopë, telefona, USB dhe dokumente të ndryshme.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se sekuestrimi i pasurive është vetëm hapi i parë në një dosje që pritet të zgjerohet edhe me emra të tjerë.















