Një grabitje me armë është regjistruar mesditën e kësaj të shtune në një argjendari në Kamëz, ku dy persona ende të paidentifikuar kanë marrë një sasi bizhuterish dhe janë larguar nga vendngjarja.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00. Dyshohet se njëri prej autorëve ka qenë i pajisur me një send në dukje armë zjarri, me të cilin kanë hyrë në ambientet e argjendarisë në pronësi të shtetasit O.L.
Pasi kanë marrë bizhuteritë, autorët janë larguar me shpejtësi, ndërsa menjëherë pas njoftimit në zonë kanë mbërritur shërbimet e Policisë.
Uniformat blu kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle intensive në Kamëz dhe zonat përreth, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për administrimin e provave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
“Me datë 16.05.2026, rreth orës 13:00, në Kamëz, dy shtetas ende të paidentifikuar, dyshohet se njëri prej tyre me një send në dukje armë zjarri, kanë hyrë në ambientet e argjendarisë në pronësi të shtetasit O.L, dhe kanë marrë një sasi bizhuterish.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë kontrolle të zonës.
Grupi hetimor po punon për fiksimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre, si dhe dokumentimin e plotë të rastit.”















