Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur punën me intensitet të lartë në disa fronte, me synim zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës së krijuar pas rrëshqitjes së dherave.

Aktualisht po punohet për heqjen e masave të dheut në të dy anët e rrugës ekzistuese, me qëllim hapjen e terrenit ku do të vendosen sondat për realizimin e studimit të detajuar gjeologjik, i cili do të shërbejë për vlerësimin teknik të zonës së prekur.

Reklame

Paralelisht, me një mobilizim të shtuar të mjeteve të rënda, kanë nisur edhe punimet për sistemimin e rrjedhës së Lumi Shkumbin. Rrjedha po orientohet në krahun e majtë, me qëllim krijimin e hapësirës së nevojshme për ndërtimin e një rruge alternative, e cila do të kalojë përgjatë linjës hekurudhore.

Pas përfundimit të studimit gjeologjik, pritet të kryhet ripunimi i projektit të zbatimit për aksin e ri rrugor Elbasan–Librazhd–Qafë Thanë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se do të informojë në kohë reale mbi ecurinë e punimeve dhe masat e mëtejshme që do të ndërmerren për rikthimin e qarkullimit normal.

Reklame