Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partia Demokratike e Shqipërisë, Genta Vangjeli, deklaroi se të paktën 956 milionë euro nga taksat e shqiptarëve janë investuar në projekte rrugore që, sipas saj, po shfaqin probleme serioze strukturore dhe po rrezikojnë sigurinë e qytetarëve.

Në një deklaratë publike, ajo theksoi se projektet e prezantuara si “vepra madhore” po rezultojnë, sipas opozitës, simbol i keqmenaxhimit, mungesës së standardeve dhe i dyshimeve për abuzim me fondet publike.“Në vend të infrastrukturës së qëndrueshme, qytetarëve po u serviren investime që dëmtohen vetëm pak muaj apo vite pas inaugurimit,” u shpreh Vangjeli.

Reklame

Sipas deklaratës, në muajt e fundit janë raportuar dëmtime apo shembje në disa segmente rrugore, mes tyre:

Rruga e Arbrit – Tuneli i Murrizit (inauguruar 1 vit më parë), kosto mbi 300 milionë euro

Tuneli i Llogarasë – inauguruar 19 muaj më parë, kosto mbi 200 milionë euro

Tuneli i Skërficës (rruga Kardhiq–Delvinë) – hapur 3 vite më parë, kosto rreth 145 milionë euro

Rruga Qukës–Qafë Plloçë – inauguruar 5 muaj më parë, kosto rreth 260 milionë euro

Aksi Librazhd–Pogradec – kosto rreth 50 milionë euro

Aksi Maqellarë–Peshkopi (Luzni) – inauguruar 9 muaj më parë, kosto 10 milionë euro

Unaza e Burrelit – inauguruar 6 muaj më parë, kosto 1.2 milionë euro

Aksi Kuç–Qeparo – inauguruar para 6 vitesh, kosto 35.4 milionë euro

Aksi Vllahinë–Poçem – çarje 2 vite pas ndërtimit, kosto 4.7 milionë euro

PD thekson se prej më shumë se pesë ditësh, qarkullimi në juglindje të vendit ka qenë i bllokuar, duke sjellë pasoja ekonomike dhe sociale për zonën.

Sipas Vangjelit, situata “nuk është thjesht çështje infrastrukture”, por çështje përgjegjësie publike.

Ajo kërkoi:

Hetim të plotë për përgjegjësit teknikë dhe administrativë të projekteve.

Garanci reale sigurie për qytetarët që përdorin akset rrugore.

Në përfundim të deklaratës, opozita akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë për mungesë llogaridhënieje pas 13 vitesh në pushtet, duke e cilësuar bilancin si “rrugë të shembura, kosto të fryra dhe korrupsion”.

PD bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e paralajmëruar të shtunën në orën 18:00.

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Të paktën 956 milionë euro nga taksat e shqiptarëve janë hedhur në asfalt që sot po shembet, po rrëshqet dhe po rrezikon jetën e qytetarëve.
Projektet rrugore të propaganduara si “vepra madhore” po rezultojnë simbol i keqmenaxhimit, mungesës së standardeve dhe i dyshimeve serioze për abuzim me fondet publike.
Në vend të infrastrukturës së qëndrueshme, qytetarëve po u serviren investime që dëmtohen vetëm pak muaj apo vite pas inaugurimit.
Vetëm në muajt e fundit janë raportuar shembje apo dëmtime në këto akse:

Rruga e Arbrit – Tuneli i Murrizit, inauguruar 1 vit më pare, kosto: mbi 300 milionë euro
Tuneli i Llogarasë – inauguruar 19 muaj më parë
Kosto: mbi 200 milionë euro
Tuneli i Skërficës rruga Kardhiq-Delvinë– hapur 3 vite më parë, kosto: rreth 145 milionë euro
Rruga Qukës–Qafë Plloçë – inauguruar 5 muaj më pare, kosto: rreth 260 milionë euro
Aksi Librazhd – Pogradec kosto: rreth 50 milionë euro
Aksi Maqellarë – Peshkopi (Luzni) – inauguruar 9 muaj më parë kosto: 10 milionë euro
Unaza e Burrelit – inauguruar 6 muaj më parë
Kosto: 1.2 milionë euro
Aksi Usojë – Mallakastër – inauguruar 5 muaj më parë kosto: 650 mijë euro
Aksi Kuç – Qeparo (segmenti që lidh lumin e Vlorës me Himarën) – inauguruar para 6 vitesh
Kosto: 35.4 milionë euro
Aksi Vllahinë – Poçem – çarje 2 vite pas ndërtimit , kosto: 4.7 milionë euro
Prej më shumë se 5 ditësh, qarkullimi në juglindje të vendit ka qenë i bllokuar, duke dëmtuar qytetarët dhe ekonominë lokale.
Kjo nuk është thjesht çështje infrastrukture.
Kjo është çështje përgjegjësie.
Kur rrugët shemben, nuk shembet vetëm asfalti — shembet besimi i qytetarëve, dëmtohet ekonomia kombëtare dhe rëndohet barra mbi taksapaguesit.
Ne kërkojmë:
Hetim të plotë për përgjegjësit teknikë dhe administrativë të këtyre projekteve.
Garanci reale sigurie për qytetarët që përdorin këto akse rrugore.
Edi Rama dhe qeveria e tij kanë pasur 13 vite kohë për t’u treguar shqiptarëve se çfarë mund të bëjnë për vendin.
Pas 13 vitesh, bilanci është i qartë: rrugë të shembura, kosto të fryra, korrupsion dhe mungesë llogaridhënieje.
Shqiptarët meritojnë rrugë të sigurta, jo projekte që rrëshqasin bashkë me dherat.
Koha e llogaridhënies nuk mund të shtyhet më.
Të shtunën, në orën 18:00, të gjithë në shesh.

Reklame