Bllokimi i aksit kombëtar Librazhd–Qafë Thanë ka shkaktuar kaos të rëndë në qarkullim, duke detyruar qindra qytetarë të zgjedhin rrugë alternative për të vijuar udhëtimin e tyre. Prej më shumë se 7 orësh, trafiku në këtë segment është paralizuar, ndërsa radhë kilometrike automjetesh janë krijuar në të dy drejtimet.
Si pasojë e bllokimit, shumë drejtues mjetesh po devijojnë përmes rrugës dytësore në fshatin Spathar, e cila po përballon fluks të jashtëzakonshëm automjetesh, përtej kapacitetit të saj normal. Banorët dhe udhëtarët raportojnë vonesa të gjata, vështirësi në qarkullim dhe rrezik për aksidente, për shkak të infrastrukturës së ngushtë dhe terrenit të vështirë.
Situata është bërë edhe më problematike për familjet me fëmijë, të moshuarit dhe mjetet e transportit të mallrave, të cilat kanë mbetur të bllokuara për orë të tëra nën kushte të vështira.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë një afat konkret për normalizimin e qarkullimit në aksin Librazhd–Qafë Thanë, ndërsa qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë në rrugët alternative.















