Ministria e Jashtme e Gjermanisë u ka bërë thirrje shtetasve gjermanë që të largohen sa më shpejt nga Irani, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në rajon.
Sipas një zëdhënësi të ministrisë, aktualisht ka ende fluturime komerciale që mundësojnë largimin nga vendi, ndërsa ekziston edhe mundësia e daljes përmes rrugëve tokësore.
Në listën për parandalimin e krizave, autoritetet gjermane vlerësojnë se në Iran ndodhen ende disa qindra shtetas gjermanë.
Ambasada e Gjermanisë në Teheran aktualisht nuk po operon me kapacitet të plotë personeli dhe mund të ofrojë vetëm ndihmë konsullore të kufizuar.
Paralelisht, edhe Bundeswehr ka reduktuar praninë e saj ushtarake në Erbil, në veri të Irakut. Sipas Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, në terren ndodhet vetëm personeli “absolutisht i domosdoshëm”, ndërsa pjesa tjetër është rikthyer në Gjermani përmes Jordanisë.
Frika për një përshkallëzim të mundshëm, përfshirë një sulm amerikan ndaj Iranit, ka shtyrë disa shtete evropiane të rishikojnë praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme.
Pas Gjermanisë, edhe Norvegjia ka riatdhesuar një pjesë të rreth 60 ushtarëve të saj të vendosur në rajon, duke përmendur arsye sigurie.
Situata në Lindjen e Mesme mbetet e tensionuar, ndërsa vendet evropiane po përgatiten për skenarë të mundshëm përshkallëzimi.















