Një ndërhyrje e shpejtë e Policisë së Vlorës parandaloi një ngjarje që mund të përfundonte në tragjedi.
Mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit për një konflikt në lagjen “Uji i Ftohtë”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë ndërhynë menjëherë dhe kapën shtetasin A. Sh., 39 vjeç, i cili tentoi të fshehë në një lulishte armën e zjarrit pistoletë me krehër dhe fishekë.
Hetimet zbuluan se ai ishte përfshirë në një konflikt me B. J., 30 vjeç, për motive të dobëta, brenda ambienteve të lokalit.
Pistoleta dhe municioni u sekuestruan si prova materiale, ndërsa shtetasi A. Sh. u arrestua në flagrancë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë theksoi se mbetet e angazhuar maksimalisht për sigurinë publike, duke reaguar me vendosmëri ndaj çdo rasti që cenon qetësinë dhe rendin e qytetarëve.














