Dëshmi tronditëse vijnë nga Kthesat e Dragostunjës, aty ku një rrëshqitje masive dherash ka paralizuar totalisht qarkullimin, duke bllokuar rrugën në të dy drejtimet dhe izoluar juglindjen e vendit.
Një prej qytetarëve të bllokuar në këtë aks ka treguar se vetëm një mrekulli dhe reagimi i shpejtë i një shoferi përpara tij kanë shmangur një tragjedi të mundshme. Sipas tij, sinjalizimi me drita nga automjeti që udhëtonte përpara ka qenë vendimtar për të ndaluar në kohë.
“Nuk e pashë momentin kur ndodhi. Na e bëri një me drita që të ndalonim, sepse po rrëshqiste dheu. Ishim rreth 100 metra larg,” – rrëfen qytetari.
Ai shton se fillimisht kanë menduar se ndalesa ishte për shkak të pranisë së policisë, por sapo janë afruar, kanë kuptuar përmasat e rrezikut.
“Kur erdhëm këtu menduam se kishte polici, por erdhëm e pamë se ishte shembur mali. Zoti e ka në dorë,” – u shpreh ai.
Ngjarja ka shkaktuar panik dhe shqetësim të madh te drejtuesit e mjeteve dhe pasagjerët e mbetur të bllokuar, ndërsa rreziku i rrëshqitjeve të tjera mbetet prezent. Autoritetet pritet të ndërhyjnë për pastrimin e aksit dhe vlerësimin e sigurisë së zonës, e cila prej kohësh konsiderohet problematike për shkak të terrenit të paqëndrueshëm.















