Një 19-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët italianë në Cesenatico, i dyshuar për përfshirje në aktivitet të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve, i riu u kap në flagrancë teksa i dorëzonte një blerësi një qese me rreth 1.20 gramë kokainë. Pas ndërhyrjes, efektivët ushtruan kontroll fizik ndaj tij, ku gjetën shtatë doza të tjera kokaine me peshë rreth 5 gramë dhe 385 euro cash, që dyshohet se ishin përfitime nga aktiviteti i paligjshëm.
Hetimet vijuan në një zonë të afërt, ku i riu ishte parë më herët duke fshehur një pako. Në një kopsht lulesh u zbuluan edhe 56 doza të tjera kokaine, me peshë rreth 42 gramë, të fshehura në katër kuti metalike çamçakëzi.
Kontrolli u shtri më pas në banesën e tij, ku u sekuestruan dy doza të tjera kokaine, një dozë marijuane, rreth 1500 euro cash, si dhe dy peshore precize dhe materiale për paketimin e drogës.
Me vendim të Gjykata e Forlì-t, arrestimi i 19-vjeçarit u konfirmua, ndërsa ndaj tij është vendosur masa e qëndrimit të detyruar në provincën Forlì-Cesena deri në seancën e radhës, e cila pritet të zhvillohet në fund të muajit maj.















