Një grabitje me forcë ka tronditur lagjen “Liri” në Fier, ku një 25-vjeçar ka hyrë në një farmaci dhe ka vjedhur një shumë parash nën kërcënim. Falë reagimit të shpejtë të Policisë, autori i dyshuar është identifikuar dhe arrestuar brenda një kohe të shkurtër.
Si rezultat i hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier, pas kallëzimit të bërë nga punonjësja e farmacisë, u vu në pranga shtetasi Imanuel Gjino, 25 vjeç, banues në Fier.
Sipas policisë, 25-vjeçari dyshohet se ka vjedhur me forcë shumën prej 126 000 lekësh në farmacinë e lagjes “Liri”, duke shkaktuar panik dhe frikë te punonjësit dhe klientët.
Gjatë arrestimit, uniformat blu sekuestruan një pjesë të parave të vjedhura, si dhe veshjet që autori kishte përdorur gjatë grabitjes, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në procesin penal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit, për veprën penale “Vjedhja”, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.















