Gjermania do të mbështesë rreth 1 800 persona, ose 400 familje, të prekura nga përmbytjet e javëve të fundit në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada Gjermane në Tiranë, e cila njofton se përmes Fondit Start janë vënë në dispozicion 250 mijë paund britanikë për organizatën joqeveritare World Vision UK, me qëllim ofrimin e ndihmës emergjente në zonat më të goditura.

Sipas njoftimit zyrtar, ndihma do të fokusohet kryesisht në rajonin e Durrësit, përfshirë zonat Sukth, Katund i Ri, Kënetë, Rrashbull, Porto Romano, Shkozet dhe Nishtullë, të cilat kanë pësuar dëme të konsiderueshme nga përmbytjet.

Reklame

Masat e parashikuara përfshijnë ndihma sanitare dhe higjienike, strehim emergjent, artikuj jo-ushqimorë, si dhe masa mbrojtëse për grupet vulnerabël, duke përfshirë edhe mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore. Po ashtu, paketa e ndihmës përfshin sigurinë ushqimore dhe mbulimin e nevojave bazë jetike për familjet e prekura.

Në njoftimin e saj, Ambasada Gjermane thekson gjithashtu se kjo ndërhyrje emergjente shoqërohet me një qasje afatgjatë, duke përmendur mbështetjen për zhvillimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm për ngjarjet ekstreme të motit, përmes projektit ALBAdapt të zbatuar nga GIZ. Qëllimi është që përmbytjet dhe fenomenet e tjera ekstreme të parashikohen më mirë në të ardhmen, duke u dhënë komuniteteve mundësinë të marrin masa parandaluese në kohë.

Megjithatë, situata nxjerr në pah edhe problematikat e vazhdueshme me të cilat përballet vendi përballë ndryshimeve klimatike dhe mungesës së infrastrukturës rezistente. Ndihma ndërkombëtare vlerësohet si jetike në momente krize, por përmbytjet e përsëritura ngrenë pikëpyetje serioze mbi nevojën për zgjidhje të qëndrueshme dhe masa parandaluese afatgjata, për të shmangur përsëritjen e këtyre pasojave dramatike për komunitetet lokale.

Njoftimi i Ambasadës Gjermane në Tiranë:

Ndihmë e Shpejtë Pas Përmbytjeve në Shqipëri

Pas përmbytjeve të rënda të javëve të fundit, Fondi Start, i mbështetur nga Gjermania, vë në dispozicion në mënyrë të menjëhershme 250.000 £ për OJQ-në Ëorld Vision UK. Kjo do të mbështesë afërsisht 400 familje (rreth 1,800 persona) në rajonet më të prekura të Shqipërisë – duke përfshirë Durrsin (Sukth, Katund i Ri, Kënetë, Rrashbull, Porto Romano si dhe Shkozetin, Nishtullën). Masat përfshijnë ndihma sanitare dhe higjienike, strehimin emergjent dhe artikujt jo-ushqimorë, masat mbrojtëse (duke përfshirë mbrojtjen nga dhuna gjinore), sigurinë ushqimore dhe nevojat jetike.

Për më tepër, përmes mbështetjes sonë të gjerë për zhvillimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm (përmes projektit ALBAdapt të GIZ), ne kontribuojmë që ngjarjet ekstreme të motit të mund të parashikohen më mirë në të ardhmen, duke i mundësuar njerëzve të marrin masa parandaluese.

Reklame