Këtë të enjte, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) do të zhvillohet seanca gjyqësore ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe bashkëpunëtorëve të tyre, të akuzuar për pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie.
Gjatë seancës, Prokuroria e Posaçme (SPAK) do të vijojë leximin e kërkesës për kalimin e çështjes për gjykim, një dokument prej rreth 200 faqesh, i përgatitur pas hetimeve disa mujore. Mbrojtja ka kërkuar që kërkesa e Prokurorisë të lexohet faqe për faqe në sallën e gjyqit.
SPAK përfaqësohet në këtë proces nga prokurorët Sotir Kllapi dhe Arben Kraja, ndërsa seanca drejtohet nga gjyqtarja Irena Gjoka.
Seanca pritet të jetë e gjatë dhe vendimtare për ecurinë e mëtejshme të dosjes, ndërsa në përfundim gjykata do të vendosë nëse çështja do të kalojë ose jo për gjykim.














